dysheme
DYSHEME I f.
1. Pjesa e poshtme e një dhome, e një salle etj., përkundrejt tavanit, e shtruar me dërrasa a me pllaka; shtroja e një dhome, e një salle etj. Dyshemeja e dhomës (e sallës). Dysheme me dërrasa (me pllaka). Dërrasat e dyshemesë. Shtroi dyshemenë. Lau dyshemenë. U shtri në dysheme.
2. Pjesa e poshtme e një vendi, e një sendi etj., që është e rrafshët dhe përbën shtratin e tij ose që shërben si mbështetje për diçka. Dyshemeja e qerres (e urës). Dyshemeja e djepit (e karriges). Dyshemeja e magjes (e zgjoit, e furrës).
3. gjeol., min. Shtresë dheu, shkëmbi etj., mbi të cilën gjendet minerali i dobishëm a një damar i tij. Dyshemeja e minierës. Dyshemeja e qymyrgurit.
DYSHEME II f.
Shami e madhe, e punuar në vegjë, që e hedhin gratë në kokë a e lidhin si përparëse, që e mbajnë burrat në qafë si shall a të lidhur në mes si brez ose që përdoret për të mbështjellë plaçka në bohçe. Lidh me (në) dysheme.